Turqia me më shumë se 350 ushtarë në KFOR

Prishtinë, 29 shtator - Sot në mëngjes, Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, u takua në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë me ambasodoren e Turqisë në Kosovë, shkëlqesinë e saj, Songul Ozan.
Temat e diskutimit kishin të bëjnë me situatën e përgjithshme në Kosovë dhe me përparimin e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Takimi i mbajtur në Prishtinë ishte një mundësi për gjeneralin Figliuolo që të vë në pah praninë tradicionale të Turqisë në rajon dhe në veçanti rolin e rëndësishëm që Turqia sot po e luan në fushën e zhvillimit ekonomik të të gjithë territorit, si dhe kontributin profesional dhe konkret që e jep në KFOR për të ofruar një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
Aktualisht, Turqia është një nga shtetet më të rëndësishme kontribuese në KFOR, me më shumë se 350 ushtarë të zbarkuar në Kosovë, të cilët veprojnë në SHP të KFOR-it, në Detashmentin e Përbashkët Rajonal të jugut (JRD-S) si shtet udhëheqës, në Detashmetin e Përbashkët Rajonal të qendrës me një Ekip Ndërlidhës dhe Monitorues dhe me një kompani në Grupin Luftues Shumëkombësh të lindjes.
Komandanti i KFOR-it dhe ambasadorja turke vlerësuan lart rëndësinë e kontributit të KFOR-it, si reagues i tretë, për të mbështetur Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën, konform Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Takimi i sotëm është vazhdimësi e takimeve të ngjashme të cilat komandanti i KFOR-it i mban për të pasur një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj situatës së përgjithshme në Kosovë.