Turqia do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fushat
Prishtinë, 25 shkurt - Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim në Vushtrri e vizitoi sot ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, znj. Songul Ozan.
Kryeshefi Ekzekutiv, Sheremet Ahmeti e njoftoi ambasadoren turke për të gjitha trajnimet që mbahen nga katër agjencionet e sigurisë publike në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim.
Ambasadorja Ozan është njoftuar edhe për projektet, të cilat priten të realizohen së shpejti, që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe akomoduese në Qendër.
Delegacioni turk u informua edhe për konceptin, vizionin, fazën e tranzicionit, akreditimit, legjislacionit, por edhe për sukseset dhe të arriturat e Qendrës së Kosovës për Siguri Publike.
Në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike trajnohen pjesëtarë të sigurisë publike jo vetëm nga Republika e Kosovës, por edhe nga vendet e rajonit. Qëllimi ynë është që Qendra të merr karakter regjional në Evropën Juglindore për studime në fushën e sigurisë publike, pasi këtu ka pasur shumë pjesëtarë të agjencive të sigurisë publike nga vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, tha kryeshefi Ahmeti.
Ai e ka falënderuar Republikën e Turqisë për angazhimin dhe ndihmën e vazhdueshme që po i bën Kosovës në të gjitha fushat e posaçërisht në fushën e sigurisë.
Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Songul Ozan duke falënderuar menaxhmentin e lartë për pritjen shprehu bindjen se Turqia do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fushat. Ozan tha se shteti i saj po vazhdon të bëj përpjekje që Republika e Kosovës të njihet nga të gjitha vendet e botës dhe Turqia do ta përkrah Kosovën edhe në fushën e sigurisë.
Edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Reshat Maliqi e ka falënderuar ambasadoren turke për kontributin e Truqisë në trajnimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Po ashtu sot, ambasadorja e Republikës së Turqisë së bashku me kryeshefin Ahmeti dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z.Reshat Maliqi morën pjesë edhe në ceremoninë e certifikimit të pjesëtarëve të policisë, të cilët me sukses e përfunduan trajnimin Hetimet e avancuara kundër terrorizmit i organizuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë.