Turqia do të mbështes sistemin e drejtësisë së Kosovës
Ankara 4 maj - Me ftesë të Akademisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë, një delegacion nga sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj dhe në përbërje të përfaqësuesve nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, kryetarët e gjykatave të Kosovës dhe përfaqësuesve nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, po realizon një vizitë pune në institucionet e drejtësisë së Republikës së Turqisë.
Gjatë qëndrimit në Ankara delegacioni nga Kosova është pritur në takime të ndara nga drejtues të institucioneve më të larta të institucioneve të drejtësisë turke, duke filluar nga Prokuroria pran Gjykatë Supreme e Republikës së Turqisë, Gjykata e Supreme, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Konias, Prokuroria e Beypazarit dhe Akademia e Drejtësisë së Turqisë.
Gjatë këtyre takimeve delegacioni nga vendi ynë është njoftuar për së afërmi me organizimin dhe funksionimin e sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor të Republikës së Turqisë.
Në këto takime kryesuesi Isufaj ka njoftuar bashkëbiseduesit lidhur me strukturën e sistemit prokurorial të Kosovës, me punët, problemet, sfidat dhe me synimet e sistemit prokurorial, respektivisht institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe me zbatimin e reformave në këtë sistem. Me theks të veçantë në këto takime është diskutuar edhe për luftën kundër krimit të organizuar, krimit transnacional dhe luftën kundër terrorizmit.
Gjithashtu, është biseduar edhe për format e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë së dy vendeve, ku konkretisht është rënë dakord për shkëmbimin e përvojave në shërbim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës të sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës.
Në këto takime kryesuesi Isufaj, ka falënderuar drejtuesit e institucioneve të drejtësisë turke për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i tyre po i jep sistemit prokurorial në vendin tonë, përmes organizmit të vizitave të ndërsjella dhe shkëmbimit të praktikave më të mira gjyqësore dhe prokuroriale në fusha të ndryshme për prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës.