Turqia do ta ndihmojë FSK-së
Ankara, 8 shkurt - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Ismet Yilmaz, udhëtoi sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë.
Ministri Demolli u prit me nderime ushtarake nga ministri i Mbrojtjes Ismet Yilmaz dhe Garda kombëtare.
Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes së Turqisë, z. Yilmaz fillimisht falënderoi ministrin Demolli për vizitën dhe më pas së bashku të dy ministrat bisedua për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet dy ministrive si dhe për intensifikimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si në fushën e edukimit dhe arsimimit, stërvitjes, trajnimeve etj.
Ministri i FSK-së, z. Demolli pasi falënderoi ministrin e Turqisë për ndihmën që shteti i tij në vazhdimësi po jep për Kosovën e në veçanti për FSK-në, kërkoi nga ai që të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen e Kosovës dhe FSK-së në anëtarësimin në organizatat rajonale të Sigurisë.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Turqisë, z. Yilmaz premtoi se Turqia do ta ndihmojë FSK-së edhe në të ardhmen në të gjitha drejtimet, qoftë me ngritjen profesionale të kuadrove përmes arsimimit dhe trajnimeve, qoftë përmes donacioneve .
Ministri Demolli, gjatë qëndrimit në Turqi pritet të takohet edhe me personalitete të tjera të larta ushtarake si dhe do të vizitojë akademitë dhe shkollat ushtarake dhe kadetët e FSK-së, të cilët po studiojnë në Turqi.