Trupat amerikane të paktën edhe 5 vjet në Kosovë
Prishtinë, 16 nëntor - Të paktën edhe pesë vitet e ardhshme, ushtria amerikane nuk do të largohet nga baza Bondstilli dhe nga Kosova. Kështu është përgjigjur komandanti i ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges.
I pyetur nga portali serb i lajmeve Insajder, nëse KFOR-i ka plan të largohet nga Kosova, ai është përgjigjur se për këtë vendos Aleanca Veriatlantike NATO.
“Personalisht jam i ngarkuar të sigurojë pjesëmarrjen e ushtarëve amerikanë në misionin e KFOR-it. Nga ajo që unë shoh, së paku edhe pesë vjetët e ardhshme nuk planifikojmë të largohemi nga Kosova, sepse tashmë janë të siguruara të gjitha resurset edhe për pesë vite e ardhshme” është përgjigjur ushtaraku amerikan.
Ai tha se rrëfimi për Qendrën humanitare ruse në Nish është thjesht një fasadë, pasi ajo ka tjetër mision dhe jo atë për çka flitet.