Trembëdhjetë vite burgim dhe konfiskim i pasurisë
Ferizaj, 4 prill - Trembëdhjetë (13) vite burgim dhe konfiskim i pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë prej 1.5 milion ndaj të akuzuarve A.A, I.R dhe A.Xh për veprën penale mundësimi i prostitucionit dhe shpëlarje parash.
Trupi Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Agim Maliqi, të hënën 4 prill 2016, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit A.A, I.R dhe A.Xh, të cilit në bazë të aktakuzës së Prokurorisë së EULEX-it, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale mundësimi i prostitucionit nga neni 201 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, veprën penale Shpërlaje e parave nga neni 32 paragrafi 2 nën paragrafi 2.4 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, si dhe për veprën penale krimi i organizuar nga neni 274 paragrafi 3 të KPK-së, dhe për këtë:
- i pandehuri i parë A.A është shpallur fajtor dhe është gjykuar me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëdhjetëmijë (50.000) ,
- i pandehuri I.R, është gjykuar me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vite e gjashtë (6) muaj si dhe dënim me gjobë në shumë prej njëzetmijë (20.000) ,
- i pandehuri A.Xh, është shpallur fajtor dhe është gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vite e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej njëzetmijë (20.000)
Trupi gjykues në këtë rast, ka marr vendim për konfiskim në mënyrë të përhershme të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, e të pandehurit A.A, I.R dhe A.Xh, meqë është vërtetuar se është dobi pasurore e fituar nga kryerja e veprave penale të shpallur fajtor, vlera e të cilave është mbi 1.5 milion , dhe atë nëntë (9) vetura, të tipit VW, dy vetura të tipit BMW, e po ashtu dy banesa në Ferizaj, një parcelë toke në fshatin Babush dhe një në Brezovicë, motelin Nata në fshatin Prelez të Muahxherëve, si dhe e tërë shuma e depozituara në xhirollogaritë bankare të të pandehurve
Kurse sa i përket veprës penale krimi i organizuar nga neni 274 paragrafi 3 të KPK-së trupi gjykues në mungesë të provave dhe konform nenit 364 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 ka liruar nga akuza të pandehurit në këtë rast.
Të pandehurit akuzohen se nga muaji shkurt 2005 deri në maj 2012, në bashkëkryerje kanë organizuar rrjetin e prostitucionit në një motel në fshatin Prelez i Muhaxherëve Komuna e Ferizajt, i cili ka punuar me emra të ndryshëm, dhe me pronar të ndryshëm ashtu që organizimi është bërë në atë mënyrë që të pandehurit u kanë dërguar të holla femrave në Ukrainë, e të cilat pasi që janë regjistruar në Kosovë kinse punojnë në cilësinë e kamerierëve, kanë ushtruar veprimtarinë e prostitucionit, me çka ka rezultuar që të pandehurit kanë përfituar një shumë të madhe parash të cilat i kanë konvertuar në blerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme përkatësisht duke bërë shpëlarjen e këtyre parave nga veprimtaria e jashtë ligjshme
Konform nenit 367 paragrafi 2 të KPPK-së, trupi gjykues vendosi që të akuzuarve A.A, I.R dhe A.Xh tiu vazhdojë masën e paraburgimit, i cili do të zgjasë derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.