Tre policë të plagosur në veri të Kosovës
Prishtinë, 28 maj - Sipas informatave të Qëndres Rajonale të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) në Mitrovicë , që nga ora 5:00 njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një aksion me ç’rast janë arrestuar dhe ndaluar 30 persona, kryesisht policë të Kosovës të uniformuar të përkatësisë etnike serbe.
Në mesin e të arrestaurve sipas KMDLNJ-së ka policë shqiptarë dhe kontrabandistë shqiptarë dhe serbë. Strukturat paralele kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve që po e kundërshtojnë policinë duke vënë barrikada.
"Deri më tani me armë zjarri janë plagosur 3 policë (shqiptarë), njëri është plagosur prapa shpine (më rëndë dhe gjindet në Kirurgji), tjetri e ka hundën e thyer (është në ORL), kurse tjetri ka gërvishje për faktin se plumbi e ka goditur në kuletë. KMDLNj e ka të njohur identitetin e policëve të plagosur", thekson KMDLNJ.
Për dallim nga herat tjera , përgjigja e qytetarëve serbë për mobilizim ka qenë shumë më i vogël.
KMDLNj e dënon ashpër dhunën ndaj policëve të Kosovës nga grupe dhe individë të armatosur që deri më tani kanë qenë të paprekshëm.
KMDLNj kërkon që ata që plagosën policët e Kosovës sa më shpejt të sillen para organeve të drejtësisë. Deri në momentin e raportimit aksioni i policisë është duke vazhduar.