Tre infermieret që dhunuan të moshuarën, 30 ditë në paraburgim
Pejë, 3 nëntor - Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e sigurisë 30 ditë paraburgim për tre infermieret, të cilat akuzohen se në bashkëpunim me njëra tjetrën dhunuan të moshuarën në qendrën “Orenda” në Pejë.
Në njoftimi thuhet se Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurave A.P, A.R dhe R.K, për shkak se ekzistojnë dyshimet që infermjerët kanë kryer vepër penale.
Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me “lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to”.
Gjykata gjithashtu ka vlerësuar edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave, mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale.