Tre dëshmitarë në gjykimin kundër Enver Hasanit
Prishtinë, 15 janar - Në gjykimin kundër ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili dy ditë më parë u akuzua nga Prokuroria Speciale e Kosovës për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte në krye të këtij institucioni, pritet të dëshmojnë tre dëshmitarë.
Pos dëshmitarit kyç, gjyqtarit ndërkombëtar në Kushtetuese, Robert Carolan, dëshmi në gjykatë do të japin edhe dy zyrtarë të këtij institucioni, Afërdita Krasniqi dhe Muhamet Brahimi, të cilët sipas deklaratave që i kanë dhënë në prokurori, kishin pranuar kërkesën prej gjyqtarit Carolan, për ta përjashtuar nga procesi i emërimit të gjyqtarëve ndërkombëtarë, shkruan sot Koha Ditore.
Pos deklaratave të këtyre dëshmitarëve, në dokumentin e aktakuzës, të cilën e ka siguruar Koha Ditore, prokuroria përmend provat, të cilat i ka siguruar për ngritjen e saj, si dhe jepen sqarime rreth çështjes së imunitetit të Hasanit.
Hetimet kundër Hasanit, por edhe kundër kryetares aktuale, Arta Rama-Hajrizi, kanë filluar nga prokuroria pas denoncimit që ua ka bërë vitin e kaluar ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi. Ai kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese nëse presidentja Atifete Jahjaga kishte shkelur Kushtetutën kur ua kishte vazhduar mandatin tre gjyqtarëve.
Koha Ditore