Trajtimi i të miturve, segment tejet i rëndësishëm i drejtësisë
Prishtinë, 20 nëntor - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi sot ka marrë pjesë në shënimin e 20-të vjetorit të themelimit të UNICEF-it në Kosovë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka vlerësuar bashkëpunimin dhe partneritetin që kanë përgjatë këtyre viteve me UNICEF-in, si një prej organizmave ndërkombëtar që ka ndihmuar dhe ka qenë partner serioz në fushën e drejtësisë dhe sidomos në rrugëtimin dhe përpjekjet e përbashkëta për avancimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Ministri Kuçi tha se, fëmijët janë kategoria më e vlerësuar, por edhe më të ndjeshme e shoqërisë.
Duke folur për këtë kategori, Ministri Kuçi shtoi se zhvillimi dhe zbatimi i të drejtave të fëmijëve në sistemin e drejtësisë, ka qenë dhe mbetet një ndër prioritetet te Qeverisë të cilat janë pjesë integrale e reformave me qëllim të sigurimit të drejtësisë për të gjithë fëmijët.
Kuçi tha se në fushën drejtësisë për të mitur është hartuar legjislacioni vendor në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën për të Drejtat e Fëmijëve në rendin ligjor shtetëror, si dhe është punuar në ngritjen e kapaciteteve dhe të institucioneve të cilat merren me drejtësinë për të mitur.
Reformat në kornizën ligjore të cilat kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë kryesor UNICEF-in, janë rezultat i iniciativave për ndërtimin e kapaciteteve në institucionet e mandatuara për drejtësinë për fëmijë, duke përfshirë Shërbimin Sprovues dhe Shërbimin Korrektues, gjyqtarët, prokurorët, Policinë e Kosovës, Qendrat për Punë Sociale, etj.\"
\"Këto reforma janë bërë dhe vazhdojnë të ndodhin me qëllimin të përmirësimit dhe mbështetjes së aftësive të kuadrit që merret me këto shërbime, duke përfshirë mënyrat, metodat dhe qëndrimet e tyre, ndaj ofrimit të shërbimeve të mirëfillta të mbrojtjes dhe drejtësisë për fëmijë ka thënë Ministri Kuçi.
Ministri gjithashtu ka theksuar se janë përkujdesur që në rastet kur të miturit janë delikuent, rehabilitimi i tyre në shoqëri të ketë trajtim ndryshe nga të tjerët.
Ata duhet të vazhdojnë më jetën e tyre përfshirë shkollimin dhe segmente tjera, të kenë trajtimin adekuat brenda këtyre qendrave si dhe trajnimi i stafit të cilët punojnë me këta persona, të jenë persona jo të uniformuar dhe persona të cilët garantojnë se ata do të kthehen të barabartë në shoqërinë tonë, ka thënë Kuçi.
Në fund të fjalës së tij, Ministri Kuçi tha se partneriteti me UNICEF-in do të vazhdoj edhe në të ardhmen, përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit dhe të gjitha segmentet tjera me qëllim që të kemi fëmijë të shëndoshë dhe me trajtim të barabartë.
Ai ka falënderuar Zyrën e UNICEF-it për përkrahjen e ofruar në jetësimin sa më të madh të të drejtave të fëmijëve në vendin tonë duke besuar fuqishëm që ky partneritet do të vazhdojë edhe në të ardhmen.