Tomas Svozil, atashe ushtarak në ambasadën e Çekisë në Kosovë
Prishtinë, 29 nëntor - Sot ministri për Forcën e Sigurisë të Kosovës, z. Haki Demolli priti në takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Çekisë në Prishtinë, z. Ivo Silhavy i cili shoqërohej nga zëvendësi i tij, Dushan Kralik dhe atasheu ushtarak në ambasadën e Çekisë në Zagreb, nënkolonel Tomas Svozil.
Qëllimi i vizitës ishte prezantimi zyrtar i nënkolonel Tomas Svozil i cili nga data 1 dhjetor 2016 do të jetë atashe ushtarak në ambasadën e Republikës së Çekisë në Kosovë.
Me këtë rast, ministri Demolli falënderoi ambasadorin Salhavy për ndihmën e Çekisë, për Kosovën që nga angazhimet e saj me 1999, pastaj kontributi në kuadër të misionit të KFOR-it dhe bashkëpunimin me FSK-në.
Në takim u bisedua për gjetjen e mundësive për thellimin e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe ministrisë së Mbrojtjes së Çekisë si dhe në mes FSK-së dhe Ushtrisë Çeke.
Për zhvillimin konkretë të bashkëpunimit mes dy vendeve do të ishte më funksionale përmes nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi dy palësh.
Të dy palët u pajtuan se edhe vetë emërimi i atasheut në Kosovë është një mundësi e mirë zgjerimit të këtij bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët.
Po ashtu ministri Demolli e njoftoi delegacion nga Çekia me dinamikën e zhvillimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar që ka MFSK.
Nga ana e tij, ambasadori i Çekisë në Prishtinë, Salhavy e falënderoi ministrin Demolli për pritjen, si dhe premtoi vazhdimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët në mes të dy shteteve dhe dy ministrive.
Në takim ishte i pranishëm edhe shefi i kabinetit të ministrit zoti Latif Leka.