Themelohet zyra kombëtare për luftimin e krimeve ekonomike
Prishtinë, 23 shtator - I kryesuar nga Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot u mbajt takimi i radhës i përbashkët i krerëve dhe përfaqësuesve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, Gjykatës Supreme të Kosovës, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Financave, Agjencisë Kundër Korrupsionit, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bankës Qendrore, Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Gary Hyde, përfaqësues i Thesarit Amerikan.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi i strategjisë për themelimin e Zyrës Kombëtare për Koordinim të Luftimit të Krimeve Ekonomike, ku Gery Hyde nga Thesari Amerikan prezantoi strategjinë për themelimin dhe kompetencat e kësaj zyre.
Zëvendëskryeministri Kuçi duke vlerësuar si të nevojshme themelimin e kësaj zyre, si dhe ka shprehur bindjen e tij se kjo zyre do të koordinojë aktivitetet ndërinstitucionale në luftë kundër krimeve ekonomike, me çrast ishin të pajtimit edhe përfaqësuesit e institucioneve tjera pjesëmarrëse.
Në fund të takimit u vendos që të themelohet Zyra Kombëtare për Koordinim të Luftimit të Krimeve Ekonomike e cila do të udhëhiqet nga një prokuror i cili do të ushtrojë detyrën në mënyrë të pavarur.
Po ashtu të pranishmit u pajtuan që të rregullohet infrastruktura ligjore, të sigurohen mjete buxhetore dhe zyra të funksionojë me një strategji të qartë, në mënyrë që të mos ketë konflikt kompetencash ndër institucionale.