Themelohet Oda e Përmbaruesve Privat
Prishtinë, 22 janar - Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Odës së Përmbaruesve Privat në Republikën e Kosovës, nismë e Ministrisë së Drejtësisë, e përkrahur nga USAID-i.
Kuvendi themelues i Odës së Përmbaruesve Privat shënon krijimin e organit profesional që do të marrë përsipër një sër detyrash, duke përfshirë edhe mbikëqyrjen e profesionit, sigurimin e standardeve më të larta etike dhe sigurimin e drejtësisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka folur për rëndësinë që ka themelimi i kësaj Ode, duke kontribuar në kompletimin e arkitekturës së drejtësisë dhe plotësimin e standardeve në shërbim të qytetarëve.
Duke ndërtuar sistemin e Përmbaruesve Privat, atë të Noterisë, të Ndërmjetësuesve, Administratorëve Falimentues dhe të Arbitrazhit, ne plotësojmë arkitekturën e drejtësisë që tanimë është realitet në Republikën e Kosovës. Kjo do ti ndihmojë gjyqtarëve, prokurorëve në zgjidhjen e lëndëve, por mbi të gjitha do të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, ka thënë Kuçi.
Ai ka theksuar se motoja e tij gjatë mandatit të dytë është besimi në drejtësi, duke u shprehur i bindur se me punën të cilën do ta bëjnë përmbaruesit privat, gjyqtarët dhe prokurorët, punën të cilën e bëjnë noterët, administratorët falimentues dhe të tjerët, do tia dalin që ta rrisin besimin në drejtësi.
Gjatë kësaj ceremonie, Ministri Kuçi ka thënë se e gjithë kjo punë është arritur në koordinim të plotë me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, ndërkohë që ka shprehur mirënjohje për punën e madhe që kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe kontributin e madh të partnerëve ndërkombëtar.
Themelimi i profesionit të Përmbaruesit Privat është rezultat i angazhimit tonë të vazhdueshëm, të përkushtimit dhe filozofisë tonë, si dhe mbështetjes të pa rezervë nga USAID. Gjatë viteve në vijim, planifikojmë implementimin e strategjisë për asistencë teknike, që është miratuar bashkërisht me partnerë ndërkombëtar, duke siguruar rritjen e fondeve dhe projekteve në fushën e drejtësisë, gjë që nënkupton edhe shërbime më të mira për qytetarët, ka thënë Kuçi.
Ministri Kuçi në fjalën e tij ka premtuar përkrahjen e tij si Ministër i Drejtësisë, duke theksuar se Përmbaruesit Privat do ta kenë edhe një komision për inspektimin e punës së tyre. Ju do ta keni fuqinë e plotë ligjore për punën tuaj, por njëkohësisht do ta keni edhe mbikëqyrjen e plotë ligjore që punën tuaj ta realizoni sipas ligjit.
Me anë të një procesi transparent, gjatë mbledhjes së parë të kuvendit të Odës së Përmbaruesve Privat, u zgjodhën anëtarët e Bordit Ekzekutiv, Kryetari i Odës/Bordit Ekzekutiv, si dhe anëtarët e Këshillit të Kontrollit, si në vijim:
Kryetarja e Bordit Ekzekutiv/Odës së Përmbaruesve Privat:
1. Emine Sherifi - Lubeniqi
Anëtarët e Bordit:
1. Fadil Hoxha
2. Emine Sherifi - Lubeniqi
3. Gjokë Radi
4. Mehdi Reshani
5. Sefer Arifi
6. Saranda Rexhepi
7. Destan Bujupi
Anëtarët e Këshillit të Koltrollit:
1. Kushtrim Musa
2. Rrezarta Metaj
3. Gëzim Gjoshi