15 Maj 2024

Themelohet Këshilli për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë, 7 mars - Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka themeluar sot Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Presidentja tha se këshilli u themelua me dekret të veçantë më synim bashkërendimin e aktiviteteve të institucioneve dhe agjencive në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimit të tyre për të rehabilituar të mbijetuarit e dhunës gjatë luftës.

Presidentja Jahjaga tha në takim, ku ishin të pranishme përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare se “pesha e vuajtjeve dhe pasojat e luftës vazhdojnë të rendojnë ende mbi të gjithë ne”.

Pasi dhuna seksuale dhe forma të tjera të dhunës të ushtruara mbi civilë gjatë konflikteve të armatosura sipas saj përbëjnë krim të luftës dhe janë thyerje e drejtpërdrejtë e Konventës së Gjenevës dhe Protokollit të parë, e cila është e inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës.

Pasojat e rënda të këtij mjeti lufte që u përdor për të cenuar dinjitetin e viktimave, për të ngjallur ndjenjën e frikës dhe të shtypjes, për të nxitur shpërnguljen dhe për të zhveshur një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore, po vazhdojnë të rrënojnë jetën e viktimave dhe familjarëve të tyre.

“Të mbijetuarit e dhunës seksuale vuajnë ende nga një gjendje e rëndë psikologjike, sociale dhe ekonomike, prandaj kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve dhe shoqërisë për t’u përballur me një realitet të rëndë në të cilin e gjejnë veten, jo për fajin e tyre."

"Nuk kemi akoma një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por mendohet që numri i tyre të jetë deri në 20.000. Dhe është pak e rëndësishme se sa është numri i tyre, sepse qoftë edhe një viktimë e kësaj dhune kërkon vëmendjen tonë.”, tha Jahjaga.

Presidentja tha po ashtu se shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare kanë bërë një punë të konsiderueshme në krijimin e mekanizmave që ofrojnë qasje në shërbimet e nevojshme psiko-sociale, ligjore, ekonomike dhe shëndetësore, me synim rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e kësaj kategorie të viktimave civile të luftës

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)