Thellohet bashkëpunim mes FSK dhe Gardës së Ajovës
Prishtinë, 20 shkurt - Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sot, për një vizitë pune ka qëndruar një delegacion i lartë i Gardës Kombëtare të Ajovës, të prirë nga komandanti i saj, gjeneralmajor Timothy Orr.
Delegacioni u prit nga zëvendësministri Shemsi Veseli ku merrnin pjesë edhe Bejtush Gashi, zëvendësministër, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, zëvendës komandanti i FSK-së gjeneralmajor Rrahman Rama, gjeneralbrigade Zymer Halimi, major Hoxha, etj.
Me këtë rast, zëvendësministri Shemsi Veseli e ka falënderuar gjeneralin Orr, për të gjitha angazhimet që po bënë SHBA-ja përmes bashkëpunimit intensiv për Kosovën dhe FSK-në, si dhe e ka njoftuar për zhvillimet e fundit të FSK-së.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Operacione gjeneralbrigade Zymer Halimi, përmes një informimi, prezantoi para të pranishmëve, punën e bërë, deri me tani të FSK-së, në shkollimin, trajnimet dhe ngritjen profesionale të FSK-së.
Gjeneral Halimi të pranishmit i njoftoi edhe për dokumentacionet që kanë të bëjnë me çështjen e dërgimit të trupave jashtë vendit dhe gatishmërinë operacionale.
Komandanti i Gardës Kombëtare, gjeneralmajori Timothy Orr, ka shprehur admirimin e veçantë për arritjet profesionale dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin e dyanshëm në shumë fusha të përbashkëta, me theks të veçantë, në fushën e trajnimeve, ushtrimeve me ekipe mobile trajnime në fushën e komunikimit dhe shkollimit.