25 Dhjetor 2024

Thaçi: Veriu është vrima e zezë e Evropës

Prishtinë, 8 shtator - Në prani të anëtarëve të këtij komiteti, pastaj të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Byhler, kryeministri Thaçi ka shprehur vlerësimet më të larta për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme të KFOR-it, përkatësisht të NATO-s për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Kryeministri Thaçi në takimin e Komitetit Ushtarak të NATO-s ka ritheksuar se “Republika e Kosovës është e përkushtuar që të jetë faktor i rëndësishëm i paqes dhe sigurisë në rajon”.

Në vazhdim, kryeministri Thaçi ka prezantuar qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për gjendjen në veriun e Kosovës, raportet me KFOR-in, procesin e integrimeve evropiane të Kosovës dhe dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Duke folur për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, kryeministri Thaçi ka rikujtuar se situata në veri është rezultat i tolerimit 12 vjeçar të krimit dhe kontrabandës në atë pjesë të territorit të Kosovës.

“Ajo pjesë e territorit të Kosovës është vrima e zezë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës. Tash e 12 vite në atë pjesë të territorit të Kosovës nuk organizohen zgjedhje të lira. Tash e 12 vite ajo pjesë e Kosovës është kapur nga strukturat ilegale dhe kriminale të cilat e shfrytëzojnë mungesën e ligjshmërisë për aktivitete kriminale” – ka theksuar kryeministri Thaçi dhe ka shtuar se “në veri nuk ka përplasje mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, por mes qeverisë dhe disa strukturave kriminale, që po sfidojnë jo vetëm qeverinë, por edhe KFOR-in, EULEX-in, Kushtetutën e Kosovës, por edhe rezolutën 1244.”

Më tej, kryeministri Thaçi ka ripërsëritur se qytetarët serb në veri janë ata që po pësojnë më së shumti nga kjo situatë dhe se vetëm një grusht njerëzish atje duan që kjo situatë të zgjatë.

“Serbët në veri, meritojnë të jetojnë sikurse edhe serbët në jug të Kosovës, të kenë udhëheqësit e tyre të zgjedhur, komunat funksionale, dhe të përfitojnë nga shërbimet e institucioneve të Kosovës. Ata qytetarë të Kosovës vazhdimisht jetojnë nën presionin e këtyre strukturave, ndërkohë që Beogrdi vazhdimisht i ushqen me të pavërteta” – tha kryeministri Thaçi.

Në takim, kryeministri Thaçi ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që në përputhje me dokumentin e Presidentit Ahtisari, të ofrohen të gjitha të drejtat dhe garancitë për qytetarët në veri dhe ka shtuar se ata meritojnë të jetojnë të qetë, të lirë, dhe me të drejta të barabarta.

“Ne bashkarisht, duhet ta konsolidojmë realitetin e ri të pas 25 korrikut dhe asesi nuk do të lejohet kthim në status quonë e para 25 korrikut. Ne duhet bashkarisht, të punojmë të konsolidojmë realitetin e ri atje, por nuk jemi në gjendje të presim në pafundësi. Unë jam i zotuar për vendosjen e rendit dhe ligjit atje” është shprehur Thaçi.

Në takimin e Komitetit Ushtarak të NATO-s në Prishtinë, kryeministri Thaçi ka shprehur admirimin e tij për punën dhe angazhimin e komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Byhler dhe bashkëpunëtorëve të tij, që në kuadër të mandatit për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurtë në tërë territorin e Kosovës, kanë arritur që ta mbajë gjendjen nën kontroll dhe të arrihet marrëveshja e përbashkët për ruajtjen e sigurisë edhe në atë pjesë të vendit.

Kryeministri Thaçi ka shprehur mbështetjen e plotë për KFOR-in, që në kuadër të mandatit të tyre, të vazhdojnë të ofrojnë një ambient të qetë dhe të sigurtë në tërë territorin e Kosovës.

Kryeministri ka njoftuar anëtarët e Komitetit Ushtarak të NATO-s edhe për rezulatet e dialogut për çështje teknike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
 
Duke theksuar se normalizimi i mardhënieve mes dy shteteve tona është parakusht  për procesin e integrimeve të mëtutjeshme, kryeministri Thaçi ka shprehur përkushtimin për dialogun, si instrumentin e vetëm për të ecur përpara.

“Edhe në raundin e fundit të dialogut kemi arritur progres pasi që Serbia ka pranuar vulat doganore të Republikës së Kosovës, e cila gjë do të ndihmojë në vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në veriun e Kosovës, si dhe ndalimin e krimit dhe dukurive të tjera negative në atë pjesë. Karakteri unitar doganor, policor dhe gjyqësor i Kosovës është i garantuar jo vetëm me dokumentin e Presidentit Ahtisari, por edhe me rezolutën 1244. Beogradi nuk mundet me një këmbë të jetë në Bruksel, e me një në Mitrovicë” – ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Në vazhdim, kryeministri Thaçi është ndalur edhe tek procesi i integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet demokratike në kuadër të këtij procesi të rëndësishëm.

Në këtë aspekt, kryeministri Thaçi ka theksuar se Qeveria vetëm në këtë 6 mujor ka proceduar në Kuvend 66 ligje, përmes të cilave synohet një reformë strukturore, edhe në transformimin e ekonomisë, rritjen e transparencës, luftimin e korrupsionit dhe krimit.

Më tej, në kuadër të procesit të reformave, Thaçi ka potencuar edhe rritjen e pagave për Policinë dhe sektorin e gjyqësisë.

Pasi ka theksuar se “qysh në vitin 2009 Komisioni Evropian ka rekomanduar procesin e liberalizimit të vizave, marrdhënieve tregtare dhe atyre kontraktuale”, kryeministri Thaçi para anëtarëve të Komitetit Ushtarak të NATO-s ka kërkuar mbështetjen e tyre për përshpejtimin e procesit integrimit evropian për Kosovëm, përkatësisht të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe liberalizimin e vizave.

“Për Kosovën, por edhe për rajonin, integrimi ka një vlerë të shtuar, vlerën e paqes dhe stabilitetit” – tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, që u mbajt sot në Prishtinë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)