Thaçi: Kosova e gatshme të pres 500 refugjatë sirian
Prishtinë, 9 tetor Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në mesin e liderëve evropianë që morën pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Mesdheun Lindor Ballkanin Perëndimor në Luksemburg.
Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference, e cila udhëhiqej nga Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, ishin edhe komisioneri i BE-së për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, ministrat e jashtëm dhe ministrat e brendshëm të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, të vendeve anëtare të zonës Schengen (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia, Zvicra), nga Jordania, Libani dhe Turqia, nga Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova).
Ndihma financiare për refugjatët dhe 1 miliard euro për Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ishin premtimet kryesore që dolën nga diskutimet e përgjithshme.