Thaçi: Kontrabandistët dhe kriminelët i kanë ditët e numëruara
Mitrovicë, 14 gusht - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot i ka bërë një vizite Lagjes Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, dhe me këtë rast ka inspektuar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve, të djegura gjatë kohës së luftës.
Në këtë vizite në veri të Mitrovicës ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, ministri i Pushtetit Lokal Sadri Ferati, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave Bedri Hamza dhe kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati.
Kryeministri Thaçi ka thënë se ka ardhur në veri për të përmbushur zotimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e projekteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me rikthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre.
Me këtë vizitë ne edhe njëherë tregojmë zotimin tonë për implementimin e projekteve të rëndësishme për rikthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre. Është jashtëzakonisht inkurajues ky progres që po arrihet që hap pas hapit të ndërtohen shtëpia të reja, të kthehen njerëz në pronat e tyre. Do të vazhdohet me investime shtesë në të gjithë territor të Republikës së Kosovës, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se me udhëheqjen komunale ka diskutuar për investime shtesë për rikthimin e familjeve tjera në dyqind shtëpi që duhen të rindërtohen e që është një projekt që do të kushtoi 5 milionë euro.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi premtoi se në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të diskutojmë për hapet e ardhshëm në implementimin e këtij projekti për rindërtimin dhe ndërtimin e 200 shtëpive tjera në këtë pjesë të qytetin prej nga janë larguar qytetarët më herët.
Tani do të investojmë në një proces për integrimin e qytetit por në të njëjtën kohë edhe për integrimin dhe bashkëpunimin e gjithë qytetarëve për një jetë të re, për një Mitrovicë të re, Mitrovicë të bashkuar, unike dhe të vazhdojmë më tutje në kuptimin e implementimit të plotë të dokumentit të presidentit Ahtisari, të strategjisë për integrim , për sundimin e ligjit, e gjithashtu edhe të organizimit të zgjedhjeve të lira në tri komuna tjera dhe angazhimet tona investuese të cilat do ta mbulojnë tërë territorin e Republikës së Kosovës, tha kryeministri Thaçi.
Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, ka siguruar banorët e Lagjes Kroi i Vitakut dhe të gjithë veriut të Mitrovicës se institucionet vendore të mbështetura nga ato ndërkombëtare do të garantojnë siguri të plot për ata dhe pronat e tyre.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Avni Kastrati ka falënderuar kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Kosovës për përkrahjen dhe mbështetjen financiare që kanë dhënë për ndërtimin e shtëpive dhe të rindërtimit të infrastrukturës së nevojshme për banorët e veriut të Mitrovicës.