Thaçi intervenoi te Erdogani për të liruar dy zyrtarët e arrestuar të AKI-së
Prishtinë, 22 prill - Dy zyrtarë të lartë të AKI-së janë arrestuar nga autoritetet turke me të dalë nga Aeroporti i Stambollit, tetorin e vitit të kaluar.
Barlet Gashi, drejtor i operacioneve në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Driton Fetahu, drejtor i analizës, kishin hyrë në Turqi në mënyrë të paligjshme në kohën kur pritje kthimi i të miturit Erion Zena nga Siria, shkruan Koha Ditore.
Kthimin e tij e kishte marrë përsipër Fitim Lladrovci, me kusht që kur të vinte Kosovë të kishte lehtësira në procedurën penale.
AKI-ja nuk ishte e implikuar në këtë rast, por kishte ndërhyrë për ta marrë atë si operacion të saj. Ligji për AKI-në e ndalon veprimet e këtij shërbimi jashtë territorit të Kosovës.
Katër burime të ndryshme në kushte anonimiteti i kanë treguar Kohës Ditore se dy zyrtarët e lartë të AKI-së kishin shkuar në Turqi si të dërguar të ish-drejtorit, Bashkim Smaka, pa autorizim të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.
Thaçi ishte njoftuar tek pasi ishte detyruar të intervenonte te presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili kishte bërë të mundur lirimin e tyre.
Tre zyrtarët e përfshirë në këtë incident nuk janë më në pozitat e tyre.
/Koha Ditore/