Thaçi: Ilaz Kodra luftoi për lirinë e Kosovës
Prishtinë, 29 pril l- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore me rastin e 17-vjetorit të rënies së komandantit të Brigadës 114, Ilaz Kodrës.
Në këtë akademi përkujtimore, presidenti Thaçi tha se Brigada 114 e Fehmi Lladrovcit dhe Ilaz Kodrës ka nxjerrë në pah dy veçori themelore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila doli nga vullneti, ideali dhe ëndrra e qytetarëve tanë për liri dhe pavarësi.
Së pari, presidenti Thaçi tha se prijësit e saj ishin sa luftëtarë, aq dhe komandantë dhe sa komandantë aq edhe ushtarë, drejtues dhe organizatorë të luftës për liri.
Kurse, së dyti, prijësit e Ushtrisë Çlirimtare, njëjtë sikurse komandanti legjendar Adem Jashari, ranë në ballë të betejave.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës me të drejtë konsiderohet si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet. Sepse populli ynë ishte vetë ushtria, tha presidenti Thaçi.
Sot, kur kujtojmë heroin e Kosovës, Ilaz Kodrën, presidenti Thaçi tha se i bëjmë nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale njërit prej luftëtarëve të orëve të para. Nderojmë të gjithë ata që me vizionin, këmbëngulësinë, vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Nderojmë ata që me filozofinë dhe orientimin e drejtë arritën mbështetjen dhe përkrahjen e botës demokratike, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të BE-së dhe të NATO-s, që Kosova njëherë e përgjithmonë të jetë e lirë, demokratike dhe e pavarur, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se ka pasur nderin ta njohë dhe të punojë nga afër me komandantin Ilaz Kodra, ti njoh cilësitë e larta të një veprimtari të heshtur dhe modest në sjellje, por të vendosur, të palodhshëm dhe të pathyeshëm në rrugën e lirisë.
Gjithashtu, presidenti Thaçi tha se muajin që vjen priten lajme të mira për Kosovën dhe qytetarët e saj, dhe se nuk kemi si mos ti kujtojmë dëshmorët, kur shpallim çdo lajm të mirë për Kosovën.
E para, presim që Komisioni Evropian ta shpallë datën se kur do të lëvizim të lirë në kontinentin e vjetër, në kontinentin tonë. Është kjo një e arritur me vonesë, por vonesa nuk e zvogëlon të arriturën. Fëmijët e Ilazit dhe fëmijët tanë, më nuk do të ndalen në kufijtë evropianë, tha presidenti Thaçi.
E dyta, presidenti Thaçi tha se lajm tjetër i mirë është se vitin e ardhshëm do ti përcjellim në fakultete 18-vjeçarët e parë që kanë lindur pa e përjetuar luftën, pa përvojën e rëndë dhe tragjike të saj. Paramendojeni të dashur familjarë dhe miq të Ilazit, Fehmiu dhe Xhevës se sa shumë kohë ka kaluar nga sakrifica e tyre, por sa e thellë është fitorja e tyre në luftë. Pra, ne tash kemi gjeneratat e para që nuk e përjetuan të keqen, janë të lirë nga urrejtja dhe dyert e tyre po hapen në Evropë si për asnjë gjeneratë tjetër në historinë tonë, tha presidenti Thaçi.
Ndërsa, në fund, presidenti Thaçi i ftoj të gjithë që të punohet së bashku për të rritur vlerën e shtetit dhe krenarinë e qytetarëve me shtetin tonë.
Të punojmë çdo ditë në përforcimin e sundimit të ligjit, që shteti për të cilën janë flijuar Ilazi, Fehmiu dhe Xheva të jetë shtet i barabartë për të gjithë, tha presidenti Thaçi.
Pjesë e akademisë përkujtimore për 17-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra ishin edhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nën patronatin e të cilit u organizua edhe kjo akademi përkujtimore.