15 Maj 2024

Thaçi i shprehu mirënjohje policisë për arrestimin e Kelmendit

Prishtinë, 8 maj - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri Hashim Thaçi është fokusuar po ashtu edhe në përkushtimin e vendosur të Qeverisë së Republikës së Kosovës sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon ta ketë prioritet të saj thelbësor luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se beteja për ta mundur të keqen nuk është e lehtë dhe kërkon angazhime dhe sakrifica të mëdha. Por, ne jemi të vendosur, dhe jemi të pa kompromis në luftën kundër krimit të organizuar, sepse jemi të bindur se vetëm duke e fituar këtë sfidë, ne do të sigurojmë një të ardhme të sigurt për vendin tonë, një të ardhme të sigurt evropiane për Kosovën” – është shprehur Thaçi. 

Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi  në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, ka shprehur mirënjohjen më të lartë për të gjithë pjesëtarët e strukturave të sigurisë të Republikës së Kosovës, të cilët me profesionalizëm kanë arritur të arrestojnë dhe të vëjnë prapa grilave nëjrin nga bosët e krimit të organizuar dhe trafikantin më të madh të drogës në Ballkan.

“Siç edhe jeni të informuar, i arrestuari është pjesë e listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për trafikim droge. Për më tepër, Shtëpia e Bardhë e ka sanksionuar këtë qytetar nga Kosova për trafikim droge.\"

\"Gjithashtu, ky rrjet sipas Departamentit të Thesarit, dyshohet se ka udhëhequr njërin nga rrjetet më të forta kriminale në Ballkan. Ka kohë që ai dhe rrjeti i tij është i dyshuar për drejtimin e një organizate të madhe, që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe gjërave tjera. Zbulimi dhe arrestimi i këtij rrjeti ndodhë falë përkushtimit maksimal dhe kryekëput të punës së palodhshme të agjencive të sigurisë të Republikës së Kosovës”- ka theksuar kryeministri Thaçi.

“Unë jam mëse i sigurt se kjo goditje e fuqishme e institucioneve të Republikës së Kosovës kundër elementëve të krimit të organizuar do të jetë një motiv shtesë në forcimin dhe intensifikimin e luftës kundër të gjitha llojeve të krimit në Kosovë, por edhe në rajon. Në Kosovë hapësira manevrouese për të gjithë individët dhe rrjetet që janë të përfshirë në krim të organizuar është duke u zvogëluar gjithnjë e më tepër. Shteti i ri i Kosovës gradualisht po bëhet shembull në rajon për luftën kundër krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative” – tha kryeministri Thaçi.

Me këtë rast, Kryeministri Thaçi ka falënderuar edhe misionin  e EULEX-it  për bashkëpunimin e tyre pas arrestimit të këtij rrjeti me institucionet e Kosovës, lidhur me procedimin e rastit në fjalë.

“Ju e dini se Kosova, për shkak të arsyeve të njohura, ende nuk është anëtare e Interpolit, dhe institucioneve tjera rajonale dhe evropiane që merren me luftën kundër krimit të organizuar. Prandaj, dua të potencoj se kjo paraqet një hendikep të madh. Konsideroj se vonesat e panevojshme që po i bëhen Kosovës për anëtarësim në këto organizata, definitivisht duhet të eliminohen\", potencoi Kryeministri i vendit.

Lufta kundër krimit të organizuar sipas tij duhet të vazhdojë të mbetet prioritet i të gjitha shteteve të rajonit, dhe suksesi mund të garantohet vetëm nëse ka bashkëpunim dhe koordinim adekuat.

Ai shtoi se “në këtë drejtim Kosova do të jetë shembull i bashkëpunimit. Dua të besoj në të ardhmen e afërt, Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të barabarta, e të gjitha organizatave rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, të themeluara për të luftuar krimin e organizuar”.

“Prandaj, edhe rasti i fundit i arrestimit të këtij rrjeti të rrezikshëm, dhe procedurat pastaj të komplikuara me të cilat jemi ballafaquar si shtet i Kosovës, për shkak të mosnjohjes nga Bosnja dhe Hercegovina, paraqet nevojën e domosdoshme që të lëvizet sa më shpejt drejt strukturave ndërkombëtare, që shteti i Kosovës të anëtarësohet në të gjitha organizatat e nevojshme në luftë kundër krimit të organizuar, trafikimit, dhe fenomeneve tjera negative” – përmbylli fjalën e tij Kryeministri Thaçi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)