Thaçi e Kermabo premtojnë rezultate në luftën ndaj korrupsionit
Prishtinë, 4 mars - Institucionet vendore e ndërkombëtare do të bashkëpunojnë ngushtë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Ky konstatim doli në takimin e task-forcës anti-korrupsion të udhëhequr nga qeveria.
Kryeministri Hashim Thaçi pohoi se qeveria deri tani ka ndërmarrë të gjithë hapat konkretë kundër korrupsionit, por edhe për parandalimin e tij, me theks të veçantë në krijimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe planin e veprimit, miratimin e ligjit kundër korrupsionit dhe ligjeve tjera kundër krimeve ekonomike, ngritjen e vetëdijes së opinionit publik, dhe krijimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Kryeministri Thaçi tha se qeveria do ta thellojë bashkëpunimin me autoritetet e Euleksit, por njëkohësisht do të bashkëpunojë edhe me të gjithë mekanizmat rajonal në luftë të pa kompromis kundër kësaj dukurie. Por, Thaçi tha se qeveria ka qenë e pakënaqur me luftën që është bërë deri tani, prandaj ka vendosur të krijojë edhe departamentin të veçantë tast-force anti-korrupsion në kuadër të prokurorisë speciale.
Kryeministri tha se ky proces nuk do të jetë i lehtë dhe i shkurtër, por konfirmoi se qeveria është e përkushtuar ta çojë deri në fund.
Ndërkaq, shefi i Euleksit, Iv de Kermabo, tha se EULEKS-i e mirëpret dhe e mbështetë këtë task-forcë kundër korrupsionit, duke vlerësuar se ajo e rritë luftën kundër kësaj dukurie.
Në të njëjtën kohë, ky është një sinjal shumë i mirë për të gjithë, së pari për popullatën e Kosovës që tregon për vendosmërinë e qeverisë që të luftojë korrupsionin. Por është sinjal i mirë edhe për kriminelët, dhe njerëzit që tentojnë të korruptojnë apo të korruptohen, që të kenë kujdes, por është sinjal i mirë edhe për bashkësinë ndërkombëtare në aspektet rajonale, tha Kermabo.
Kermabo theksoi se EULEX-i do të punojë ngushtë me qeverinë e Kosovës dhe ndonëse pranoi se nuk do të jetë proces i lehtë, ai tha se me një bashkëpunim të ngushtë, rezultatet do të jenë të shpejta.