Thaçi e Haradinaj intervistohen nga Komisioni hetimor për dëbimin turqve
Prishtinë, 26 nëntor - Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq mban sot mbledhjen e radhës në të cilën janë ftuar për intervistim krerët e lartë të shtetit të Kosovës.
Sot për intervistim do të jenë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Lulzim Ejupi.
Policia e Kosovës pati arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.
Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.
Komisioni ka nisur punën në korrik dhe janë të mandatuar vetëm për katër muaj të kryejnë hetimet, që i bie deri më 15 dhjetor.
Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.