Thaçi do të dalë para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor
Seanca është caktuar të nisë nga ora 15:00 dhe do të jetë publike.
Në vendosjen e datës për paraqitjen paraprake, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka marrë në konsideratë kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, avokatit David Hooper që kjo të mbahet para të martës më 10 nëntor, 2020.
Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.
Paraqitja e parë e Hashim Thaçit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij.
Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.
Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për media është shumë i kufizuar dhe nevojitet regjistrim paraprak.