Termeti në Mitrovicë shkakton deme materiale
Mitrovicë, 10 mars - Muret e stacionit të policisë në jug të qytetit dhe dy shtëpi në fshatin Trepçë, janë qarë si pasojë e një dridhje të fuqishme të tokës e cila është ndjerë të mërkurën në orën 14:40 në komunën e Mitrovicës.
Menjëherë pas kësaj dridhjeje që ka shqetësuar banorët e Mitrovicës, në vend të ngjarjes ka dalur edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ylber Durmishi. Ai ka sqaruar së në njërën shtëpi nw Trepçë qarjet ishin më të dukshme, ndërsa banorët ishin larguar prej saj.
Sipas tij, për mundësinë e kthimit të banorëve në njërën nga shtëpitë, të cilën e kanë lëshuar banorët në Trepçë do të vendoset pasi të del në terren një ekip profesional për të parë situatën e krijuar.
Ai sqaroi se menjëherë pas tërmetit pas shqetësimit të krijuar nga nxënësit që ishin në shkolla është vendosur që nxënësit të lirohen në shtëpi. Durmishi tha se një herë për një herë nuk ka të dhëna për dëme të tjera në këtë komunë.
Ndërsa për dëmet në stacionin policor, komandanti i këtij stacioni, kap. Bashkim Spahiu, tha se si pasojë e dridhjes së tokës objekti që është shfrytëzuar si stacion policie në jug, ka pësuar dëme të dukshme.
Ai theksoi se personeli është zhvendosur për shkaqe sigurie dhe janë vendosur në disa kontejnerë. Sipas tij, për hapat e tjerë në lidhje me shfrytëzimin e këtij objekti, i cili më parë ka qenë teatër, do të vendoset pas vlerësimit të ekspertëve.