Tensionohet situata në veri të Mitrovicës
Mitrovicë, 18 maj - Arrestimi i Jovica Millkovic nga Policia e Kosovës mban të tensionuar situatën në pjesën veriore të Mitrovicës.
Millkovic me përkatësi etnike serbe u arrestua mëngjesin e së enjtes se demoloi pikën statike të policisë së kosovës në lagjen Tre rrokaqiejtë dy ditë pas vrasjes së Selver Haradinajt në shtëpinë e tij.
Derisa për Millkovicin është caktuara masa prej 48 orësh paraburgim, gjatë gjithë ditës serbët kanë mbajtur të bllokuar rrugët e veriut duke kërkuar lirimin e tij.
Policia e Kosovës konfirmoi se disa dhjetëra serbë janë dalë nëpër rrugë në shenjë proteste ndaj arrestimit të bashkëkombasit të tyre. Ndërkaq edhe shqiptarët të cilët jetojnë në veri nuk qendruan indifirent ndaj situatës. Ata bllokuan rrugën e fshatit Suhodoll, i banuar me shqiptarë, fshat ky i cili sherben si urë lidhëse mes veriut dhe jugut.
Sipas policisë në orët e pasdites situata është qetësuar por vazhdojnë të jenë prezente forca të shtuara të policisë dhe KFOR-it.
Në gjithë këtë situatë pësuan dy gazetarë shqiptarë të cilët punojnë për mediat kosovare. Gazetarët Musa Mustafa dhe Alidin Damati në momentet kur po përcillnin aktivitetet e serbëve në veri u përballën me fyerjet e serbëve mbi baza etnike dhe u penguan në punën e tyre. Kundër kësaj sjellje reagoi asociacioni i gazetarëve profesionistë të kosovës.
AGPK është e shqetësuar edhe me sjelljen indiferente të ushtarëve të KFOR-it, të pranishëm gjatë incidentit, ndërkaq që shpreh shqetësim edhe për mosreagimin profesional të policëve të Kosovës, pasi vetëm njëri nga ata ka ndihmuar gazetarët.
Pengimi i gazetarëve në punën e tyre është sulm i rëndë ndaj lirisë së shtypit. Të gjitha institucionet e sigurisë e kanë për oglibim që të mundësojnë punën e gazetarëve, në gjithë territorin e Kosovës thuhet në komunikatën e asociacionit i cili përfaqëson gazetarët në Kosovë.