16 Maj 2024

Tensionim i panevojshëm i situatës për rastin e “Grupit Drenica”

Prishtinë, 26 maj - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë menjëherë dhe fuqishëm e pati kundërshtuar vendimin e gjyqtarit Dariusz Sielicki për transferimin e të paraburgosurve të akuzuar të njohur si “Grupi Drenica” nga qendrat e paraburgimit në Dubravë dhe Prishtinë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën veriore.

Arsyet e reagimit dhe kundërshtimit të këtij transferimi ishin pasiguria e përgjithshme në atë pjesë të Kosovës, rrezikimi i mundshëm i jetës së të akuzuarve dhe familjarëve të tyre, pamundësia e përgatitjes së mbrojtjes për shkak të presionit psikik, mosdhënie e garancionit për sigurinë e të paraburgosurve nga ana e EULEX-it, zbatimi i standardeve të dyfishta duke diskriminuar të akuzuarit e “Grupit Drenica” dhe duke favorizuar zz. Ivanoviq dhe Delibashiq që u transferuan nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë në atë të Mitrovicës veriore pas një presioni politik të Beogradit dhe pas hyrjes në grevë urie nga Oliver Ivanoviq , moskonsultimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës si autoritet i vetëm për transferimin e personave të privuar nga liria ,etj.

Për fat të mirë edhe në rastin e “Grupit Drenica” u shfuqizua vendimi i gjykatësit kontrovers të EULEX-it z. Sielicki pas së cilës tre të akuzuarit që u cilësuan se po bëjnë përpjekje t’i ikin drejtësisë duke e shantazhuar shtetin, u dorëzuan dhe ditën pas kësaj u paraqitën para gjykatës përkatëse në Mitrovicën veriore.

Që tregon se këta nuk kishin për qëllim t’i ikin drejtësisë por që e kundërshtonin transferimin në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën veriore. A e kishin zgjedhur rrugën më të mirë dhe më të drejtë për refuzimin e këtij transferimi është çështje tjetër. Por, se e kundërshtuan transferimin në këtë kohë dhe këto rrethana kishin plotësisht të drejtë dhe deri këtu kishin përkrahjen e KMDLNj-së.

Zhvillimet e mëvonshme rreth klinikës së QKUK –së ku ishin vendosur të akuzuarit nga “Grupi Drenica” krijuan anarki në këtë klinikë ku pushteti dhe udhëheqja e kësaj klinike ishte në duart e grupeve joformale që e paralizuan punën në këtë klinikë duke vështirësuar trajtimet e të sëmurëve dhe personelit shëndetësor. Klinika faktikisht udhëhiqej nga familjarët e të akuzuarve , protestuesve të ardhur nga terreni të cilët përcaktonin rendin e ditës së punës së klinikës se kush mund të hyjë dhe kush mund të largohet nga kjo klinikë.

Për KMDLNj-në është e papranueshme anarkia që u vendos në këtë klinikë dhe mbetet e pashpjegueshme sjellja indiferente e policisë e cila ka mandat të vendos rregull aty ku shkelet rregulli. Ndërsa rregulli ishte shkelur pa asnjë dyshim në këtë klinikë nga ana e protestuesve. Kjo tregon qartë se Policia e Kosovës në këtë rast ka zbatuar standarde të dyfishta krahasuar me disa raste të ngjashme kur ata që kanë bllokuar hyrjet e institucioneve janë larguar me dhunë ose janë shpërndarë pas përdorimit të gazit lotsjellës.

Për KMDLNj-në është e papranueshme dhe e dënueshme sjellja e protestuesve ndaj gazetarëve të mediave elektronike dhe atyre të shkruara të cilët jo vetëm që u penguan në kryerjen e punëve të tyre fizikisht por ata edhe u fyen, kërcënuan, shantazhuan dhe njëri prej tyre u sulmua fizikisht duke u grushtuar nga protestuesit.

Gjithashtu, disave u morën celularët për t’i fshirë incizimet si dhe u kërcënuan se do t’u thyhen kamerat nëse nuk i dorëzojnë filmimet apo nuk largohen nga vendi i ngjarjes. Këto veprime të dhunës ndaj gazetarëve janë të dënueshme dhe KMDLNj ka pritur dhe pret që prokurori të reagojë ex ofitio në bazë të incizimeve që u janë prezantuar shikuesve përmes mediave të shumta elektronike. Zhvillimet rreth QKUK –së përbëjnë elemente të veprës penale dhe ky rast nuk do të duhej të përmbyllej pa hetime dhe pa një vendim të gjykatës.

KMDLNj kërkon nga Ministria për Punë të Brendshme të formojë një ekip hetimor që do të hetonte sjelljet e policëve të Policisë së Kosovës të cilët nuk ishin në nivel të detyrës.

KMDLNj kërkon nga Ministria e Drejtësisë përkatësisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës që të formojë një komision hetimor që do të hetonte sjelljet e oficerëve korrektues si dhe transferet nga qendrat e paraburgimit apo qendrat korrektuese në Spitale Rajonale apo QKUK-ë të mos bëhen pa monitorim të një mekanizmi të pavarur.

KMDLNj e përsërit kërkesën për domosdoshmërinë e ndërtimit të një qendre spitalore vetëm për personat e privuar nga liria.
KMDLNj e respekton lirinë e fjalës, lirinë e tubimit dhe lirinë e protestës por kujton se këto janë të rregulluara me ligj ndërsa në rastin konkret kemi pasur dhunim të ligjit, lirisë së fjalës dhe lirisë së protestës.

Krejt në fund, KMDLNj e dënon çdo përpjekje që zhvillimet rreth QKUK –së të përdoren apo keqpërdoren për qëllime politike në fushatën që ende nuk ka filluar zyrtarisht por po zhvillohet me një intensitet të shtuar. KMDLNj shfaq habi pse askush nuk ka reaguar në mbrojtje të gazetarëve të cilët u penguan në kryerjen e punëve të tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)