Telefona dhe drogë në burgjet e Kosovës
Prishtinë, 17 gusht - Në qendrat e paraburgimit dhe në qendrat korrektuese të Kosovës vazhdon të bëhet kontrabandim me telefona mobilë dhe narkotikë.
Këtë e pranon për Zërin vetë drejtori i Burgjeve të Kosovës, Emrush Thaçi.
Ndalja e kontrabandës dhe korrupsionit nëpër qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit në Kosovë, vazhdon të mbesin sfidë për institucionet e drejtësisë, tash e 15 vite pas përfundimit të luftës. Kjo lloj kontrabande, ka kaluar në dukuri nëpër të gjitha qendrat e vendit, për të cilën e pranojnë edhe vetë zyrtarët e drejtësisë.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, në një bisedë për gazetën Zëri e pranon se problem edhe më tej mbetet kontrabanda nëpër burgje dhe sidomos futja ilegale e telefonave mobilë, si dhe e substancave narkotike.
Jemi të shqetësuar me nivelin e kontrabandës në burgje dhe jemi të fokusuar në luftimin e dukurive negative ku hyjnë edhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe korrupsioni, ka thënë Emrush Thaçi.
/Zëri/