29 Prill 2024

Të shtënat me armë zjarri në ahengje rrezikojnë qytetarët

Prishtinë, 16 korrik - Me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve dhe parandalimit të të shtënave me armë zjarri në ahengje, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash përfshirë këtu edhe ndalimin e kolonës  së dasmorëve dhe bastisjeve të ndryshme.

Gjatë këtij muaji policia ka regjistruar shumë raste të arrestimit dhe konfiskimeve të armëve që dyshohet se janë përdorur në mënyrë të kundërligjshme gjatë ahengjeve të ndryshme familjare.

Në Policinë e Kosovës janë regjistruar edhe raste të shkaktimit të lëndimeve trupore si pasojë e të shtënave me armë zjarri nëpër ahengje.

I tillë është rasti që është raportuar dje në Drenas ku raportohet se viktima (mashkull K/Shqiptar) derisa ishte duke pirë kafe me një restorant, papritmas është goditur nga një plumb qorr në shpinë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima është dërguar për tretman mjekësor ne QKUK –Prishtinë.  Policia ka identifikuar një të dyshimtë lidhur me këtë rast nga i cili është konfiskuar një revole e tipit M-57 me një karikator dhe tre fishek te cal. 7.62 mm.

 Policia e Kosovës apelon te qytetarët dhe kërkon nga ata që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre dhe sigurisë së të tjerëve.

Nëse qytetarët nuk kursehen nga veprimet e tilla të kundërligjshme, policia konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla.

Policia është e vendosur në luftimin e kësaj dukurie edhe përkundër apeleve të ndryshme për parandalimin e kësaj dukurie, ku njëra nga to është  “Festoni me zemër jo me armë” , do të intervenoj në secilin rast dhe do ti ndërmarrë të gjitha masat ndaj atyre personave që përdorin armë në raste të tilla.

Më poshtë do të gjeni statistikat e konfiskimeve të armëve dhe numrin e rasteve që policia ka intervenuar kur janë raportuar të shtëna me armë zjarri në ahengje të ndryshme si dhe spotin e PK-së për vetëdijesimin e qytetarëve për këtë veprimtari të kundërligjshme.