26 Dhjetor 2024

Të shqetësuar me përforcimin e barrikadave

Prishtinë, 3 tetor - Situata e sigurisë në Mitrovicë vazhdon të mbetet e qetë, por me tensione për shkak të aktiviteteve kriminale të grupeve serbe dhe strukturave paralele në veri. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal të sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës dhe ku marrin pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe atyre të sigurisë.


Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se përforcimi i barrikadave që është duke vazhduar në veri po bëhet me qëllim nga strukturat paralele serbe që veriu të shndërrohet në temë politike. “Këto janë barrikada politike, të cilat po krijojnë probleme për qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike”.    
                  

Ai ka përmendur angazhimet e mekanizmave komunalë karshi gjendjes së krijuar në veri. Përveç ndihmave që ka siguruar komuna për qytetarët e lagjeve dhe fshatrave të veriut, ai përmendi edhe mbështetjen që kanë marrë nga Ministria e Infrastrukturës për rregullimin e rrugës malore për në fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviqit. “Në seancën që është mbajtur në fund të javës së kaluar në Kuvendin e Komunës ku është diskutuar për situatën në veri, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka njoftuar për miratimin e kërkesës së banorëve të Bistricës, Cerajës dhe Koshtovës për rregullimin e rrugës malore”.


Kryetari Kastrati ka falënderuar KFOR-in, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës për menaxhimin e mirë të situatës dhe ka shprehur respekt për pjekurinë e qytetarëve, si në veri ashtu edhe në jug të qytetit, duke pasur parasysh provokimet e vazhdueshme nga ana e grupeve kriminale serbe. Si shembull përmendi sulmin ndaj punëtorëve që ishin duke pastruar brigjet e Ibrit si dhe të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur të dielën mbrëma në veri.


Lidhur me këto të shtëna, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ajo janë bërë nga tifozë serbë pas një ndeshje volejbolli të reprezentacionit të Serbisë. “Pas të shtënave kemi pasur shumë thirrje nga qytetarët e veriut, të cilët ndiheshin të kërcënuar”.


Drejtori Bala, ka theksuar se pa arrestimin e personave të kriminalizuar në veri nuk mund të vendoset rendi dhe ligji. “Janë grupe dhe persona të njohur, të cilët vazhdimisht marrin pjesë në akte kriminale. Ata duhet të izolohen në mënyrë që të krijohen kushte për vendosjen e normalitetit në veri”.


Në takim ai njoftoi edhe për një aktivitet të ri komunal në mbështetje të qytetarëve të veriut. Tha se pas kërkesës së banorëve të Lagjes së Doktorëve dhe Kroit të Vitakut, ka marrë vendim që nga drejtoria e tij të mbuloj transportin për nxënësit e këtyre dy lagjeve. 


Ndërsa për sulmin që ka ndodhur javën e kaluar ndaj punëtorëve që ishin duke punuar në një projekt të USAID-it për pastrimin e brigjeve të Ibrit në veri të Mitrovicës, Nexhip Gashi nga policia rajonale e Kosovës, njoftoi se është arrestuar një i dyshuar, ndaj të cilit gjykata ka shqiptuar 30 ditë paraburgim. Tha se policia është duke e përcjellur situatën dhe nuk ka ndodhë zhvillim të ri, pos përforcimit dhe betonimit të barrikadave.            

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)