Të dyshuarve për vjedhjen e bankës u refuzohen ankesat
Prishtinë, 3 shkurt - Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pa bazuara ankesat a mbrojtësve të te pandehurve N.A. dhe L.M., kundër caktimit të masave të sigurisë, prej një muaji.
Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, ka vendosur që të mbetet në fuqi aktvendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, i datës 26.01.2016, sipas të cilit të dyshuarit N.A. i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa të dyshuarës L.M., ajo e arrestit shtëpiak, po ashtu prej 30 ditësh.
Sipas prokurorisë ndaj dy të pandehurve ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale: Vjedhje e rëndë nga neni 327, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar nga neni 422; Përdorim i pa autorizuar i pasurisë nga neni 427 si dhe Manipulim me prova nga neni 397, i të njëjtit kod.
Kjo pasi që dyshohet se rreth 10 ditë me parë , ata në koordinim me personat tjerë, kanë plaçkitur një bankë në veri të Mitrovicës, me ç rast dyshohet të kenë vjedhur 320 mijë euro dhe 1000 qeqe blanko te pa plotësuara, si dhe kane marr me vete të gjitha xhirimet e video- kamerave te sigurisë.
Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazat ligjore në bazë të te cilave ka caktuar masat në fjalë.