Të atakohet çdo lloj kriminaliteti në beneficionet material
Prishtinë, 25 shtator - Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj, sot ka marrë pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit (KKKK), me temë Sfidat në parandalim dhe luftimin e korrupsionit, i cili u kryesua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Duke folur për aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me luftën kundër korrupsionit, Zëvendësministri Çelaj para të pranishmëve tha se një ndër format më efektive për parandalimin dhe luftimin efikas të korrupsionit është të atakohet ky lloj kriminaliteti mu në këtë pikë në beneficionet materiale dhe pasurore, qoftë përmes Sekuestrimit, ngrirjes apo konfiskimit, të pasurive të fituara si rezultat i veprave penale, por jo vetëm kaq.
Me qëllim të krijimit të një kornize të mirëfilltë ligjore për funksionim të sistemit të drejtësisë në administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, janë përgatitur Amandamentet për Plotësim Ndryshimin e Ligjit për Agjensinë për Menagjimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka thënë Çelaj.
Zëvendësministri Çelaj gjatë këtij takimi i ka njoftuar të pranishmit se Ministria e Drejtësisë ka filluar edhe hartimin e Koncept Dokumentit për Ligjin Anti Mafia, përkatësisht dokumentit konceptual për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.
Gjithashtu, Zëvendësministri Çelaj ka folur edhe për sfidat të cilat shfaqen në rrugën për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, ku sipas tij si sfidë kryesore ende mbetet zbatimi në praktikë i legjislacionit, përkatësisht rritja e numrit të rasteve konkrete të cilat përfundojnë me aktgjykime dënuese dhe rezultojnë në konfiskim të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme.