Të akuzuarës për vrasje i ulët dënimi nga 29 në 25 vjet burgim
Prishtinë, 20 shkurt - Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh të Departamentit për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të të akuzuarës për vrasje të rëndë B.H. (neni 147 i Kodit Penal të Kosovës), duke ndryshuar vetëm vendimin mbi dënim, të shqiptuar nga ana e Gjykatës Themelore në Pejë (P.nr.04/2013), rreth një viti me parë.
Kështu që nga 29 vjet burgim sa ishte dënuar në shkallë të parë, Gjykata e Apelit të akuzuarën për vrasjen e 20 vjeçarit F.SH. nga Peja, në maj të vitit 2012, e gjykon me 25 vjet.
Duke vlerësuar çështjen e vendimit mbi dënim, kjo gjykatë gjenë se pararendësja e saj gabimisht e ka trajtuar si rrethanë rënduese motivin e kryerjes së veprës penale, ngase hakmarrja e paskrupulltë si motiv i kryerjes është element cilësues i veprës.
Prandaj duke pasur parasysh këtë fakt dhe të gjitha rrethanat lehtësuese të cilat me të drejtë i ka konstatuar gjykata themelore, e veçanërisht çështjen se e akuzuara është nënë e një fëmije, ndërsa në ankesën e prokurorisë nuk është përmendur ndonjë rrethanë rënduese që do të ndikonte në ashpërsinë e dënimit, Apeli vlerëson se edhe më një dënim më të butë do të arrihej qëllimi i ndëshkimit.
Gjykata i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e prokurorisë lidhur me të dënuarin tjetër të këtij rasti të miturin A.LL., duke lënë në fuqi dënimin me burgim për të mitur prej 8 vjetësh.