Takohen Komitetet Lokale për Siguri Publike
Prishtinë, 27 nëntor - Komitetet Lokale për Siguri Publike (KLSP), të përkrahura nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, do të mbajnë takimin e pesëmbëdhjetë të këshillit ekzekutiv sot në Prishtinë.
Anëtarët e KLSP-ve nga mbarë Kosova do të ndajnë përvojat, do të shqyrtojnë përparimin e arritur dhe do të identifikojnë praktikat më të mira dhe sfidat në zbatimin e iniciativave të ndryshme për siguri publike.
Gjatë këtij takimi, OSBE do të ndajë mirënjohje për KLSP-të që kanë realizuar iniciativat më efektive gjatë 2013-2015. Do të mirëpriten edhe pesë komitete të themeluara së fundmi, dy nga komuna e Podujevës, dhe nga një nga komunat Malishevë, Mitrovicë e Jugut dhe Leposaviq, të cilat sjellin numrin e përgjithshëm të KLSP-ve në 52.
KLSP-të përbëhen nga liderë të komuniteteve lokale, zyrtarë policor, zyrtarë komunal e të shkollave, si dhe përfaqësues të grave dhe të rinjve të cilët punojnë për ta përmirësuar sigurinë në komunitet dhe cilësinë e jetës.
Misioni i OSBE-së në Kosovë përkrah aktivitetet e tyre përmes një projekti të financuar nga Qeveria Norvegjeze.
Zëvendës Shefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë Paivi Nikander, Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, Ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu, Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha, dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës do të flasin në këtë ngjarje.