Tahiri takon Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Farinan
Prishtinë, 20 qershor - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri u takua sot me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Salvatore Farina, me të cilin bisedoi për rrjedhat e fundit politike dhe të sigurisë në vend.
Zëvendëskryeministrja Tahiri e përgëzoi komandantin Farina për punën e palodhshme të KFOR-it për realizimin e misionit të vet për ruajtjen e paqes dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e shtetit tonë. Ajo po ashtu vlerësoi lartë kontributin e NATO-s dhe të KFOR-it edhe në ndërtimin e arkitekturës së sigurisë së Kosovës përmes përkrahjes në kuadër të vizionit për integrimin euroatlantik të shtetit të Kosovës.
Gjenerali Farina e falënderoi Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe partneritetin konstruktiv duke siguruar se KFOR do të vazhdoj të jetë e përkushtuar për të çuar përpara misionin e vet për paqe dhe siguri në Kosovë. Ai rikonfirmoi se NATO mbetet e përkushtuar për të vazhduar misionin paqeruajtës në përputhje me mandatin që ka me qëllim ofrimin e ambientit të sigurt dhe stabilitetit të përgjithshëm në Kosovë.