Tahiri e Bahtiri qëndruan në pjesën veriore të Mitrovicës
Mitrovicë, 16 korrik - Situata e krijuar në Mitrovicë, pas ndërtimit të të ashtuquajturit parku I paqes, nga drejtuessit serbë të komunës së re në veri të Mitrovicës dhe vendosja e barrikadave tjera të kundërligjshme, ka qenë temë kryesore e bisedës në takimin e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri dhe zëvendës-kryeministres së Kosovës, Edita Tahiri, që është mbajtur në ndërtesën e Kuvendit të Komunës, në orët e mbrëmjes të ditës së martë.
Në takim u tha se është i domosdoshëm thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunës së Mitrovicës, me qëllim të tejkalimit sa më të shpejtë dhe në mënyrë paqesore dhe ligjore të problemeve të paraqitura ditëve të fundit.
Zëvendës-kryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, tha se është i nevojshëm koordinimi i vazhdueshëm dhe bashkërendimi I veprimeve midis Qeverisë së Kosovës dhe komunës së Mitrovicës, me qëllim të përballimit më të lehtë të sfidave të fundit që kanë të bëjnë me barrikadat që janë vendos në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me lëvizjen dhe qarkullimin e lirë, në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe me marrëveshjen e Brukselit.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoj zëvendës-kryeministren Edita Tahiri për vizitën që i bëri, interesimin për gjendjen e krijuar dhe mbështetjen për tejkalimin e sfidave, tha se është i gatshëm që të bashkëpunoj me Qeverinë e Kosovës dhe zëvndës-kryeministren dhe se një qasje e këtillë do të ndikoj që problemet të tejkalohen më lehtë dhe që situata e përgjithshme stabilizohet më shpejtë.
Tahiri dhe Bahtiri në vazhdim u dakorduan për hapat e përbashkët në të ardhmen, duke vlerësuar se zgjidhja e çështjes së barrikadave duhet të bëhet në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtarë, sidomos me BE-në.
Mirëpo, shtuan ata, në rast të provokimeve të reja dhe ndërtimeve e veprimeve të paligjshme të kujtdo qoftë, atëherë institucionet e Republikës së Kosovës dhe organet kompetente për rend e siguri, do të marrin masa të duhura ligjore.
Pas bisedës së zhvilluar në kabinetin e kryetarit Bahtiri, zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri dhe kryetari Bahtiri, kanë dalë në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, për të shikuar nga afër vendin ku para disa ditësh drejtuesit serbë të komunës së re në veri të Mitrovicës, filluan punimet për ndërtimin e një shëtitoreje, me të cilën në fakt mbyllnin për qarkullim rrugën kryesore që lidh dy pjesët e qytetit dhe atë që i lidh lagjet e banuara me shqiptarë.
Pas qëndrimit për pak minuta në cepin verior të urës, zëvendës-kryeministrja Tahiri dhe kryetari Bahtiri, pa përcjellje të askujt, kanë kaluar rrugën kryesore në veri të lumit Ibër dhe kanë hyrë në kefenenë Dolqevita, ku janë ulur dhe kanë pirë kafe, duke qëndruar kështu për rreth 30 minuta aty. Ndonëse që të dy i kanë porositur kafetë në gjuhën shqipe, kamarieri i ka shërbye me mirësjellje.