Sylejman Selimi shpallet i pafajshëm
Mitrovicë, 29 maj - Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës, Gjeneral Sylejman Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tij, Nexhat Qubreli, Shefki Hyseni dhe Ismet Xhaxha janë liruar nga të gjitha akuzat dhe janë shpallur të pafajshëm.
Kryetari i grupit të gjykatësve, Darius Sielitzci, ka thënë se nuk ka ansjë provë që të lidhë personat e akuzuar me kryerjen e veprave kriminale.
Lajmi është konfirmuar edhe nga avokati i gjeneral Sylejman Selimit, Tomë Gashi. "Ne Gjykatën Themelore në Mitrovicë u shpall aktgjykimi në rastin: Sylejman Selimi, Nexhat Qubreli, Ismet Haxha dhe Shefki Hyseni, të akuzuar për krime të luftës, kinse të kryera gjatë vitit 1998. "
"Gjykata ka sjell aktgjykim të drejt, të ligjshëm dhe të besueshëm dhe i ka liruar të gjithë të pafajshëm. Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë me të cilën do të vërtetoheshin pretendimet e pabazuara të prokurorisë për kinse involvimin e gjeneral Selimit dhe të tjerëve", ka deklaruar Gashi.
Aktakuza ishte mbështetur në dëshminë e dy dëshmitarëve, të cilët kanë hedhur akuza se Selimi dhe të tjerët kanë kryer krime në Mitrovicë gjatë luftës së Kosovës.
Ky ishte rasti i dytë, me të cilin ballafaqohen Sylejman Selimi e Ismet Haxha. Të dy janë të akuzuar edhe në procesin tjetër gjyqësor i njohur si Grupi i Drenicës.