Sylejman Selimi mbetet në paraburgim për rastin Drenica
Prishtinë, 30 maj - Dje, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë i ka shfajësuar katër të pandehurit Ismet Haxha, Shefki Hyseni, Nexhat Qubreli dhe Sylejman Selimi, të akuzuar me disa pika të aktakuzës për krime të luftës kundër popullatës civile, në bazë të nenit 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e që aktualisht janë të ndëshkueshme në bazë të nenit 152 të Kodit Penal të Kosovës.
Trupi gjykues nuk ka mundur ta vërtetojë përtej dyshimit të bazuar se, ngjarjet të cilat kishin ngjarë në mes të fshatrave Vaganicë dhe Likoc në data të papërcaktuara në fund të vitit 1998 dhe fillim të vitit 1999 që janë të lidhura me pikat e aktakuzës, mund tu ngarkohen përtej dyshimit të bazuar këtyre të pandehurve. Prandaj, trupi gjykues nuk mundi ti shpall ata të fajshëm për veprat penale me të cilat ngarkoheshin.
Mirëpo, trupi gjykues e ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se i pandehuri Shefki Hyseni e ka kryer veprën penale të rrëmbimit në bazë të nenit 64 Paragrafi (1) të Kodit Penal të Republikës së Serbisë, që ishte ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës. Ai u lirua nga kjo vepër penale për shkak të parashkrimit të saj.
Pas leximit të aktgjykimit, është nxjerrë urdhri për ndërprerjen e paraburgimit për të pandehurit Haxha, Qubreli dhe Hyseni. Ndërsa i pandehuri Haxha dhe i pandehuri Selimi mbesin në paraburgim për rastin e ashtuquajtur Drenica.