Sylaj priti ambasadorin e Suedisë
Prishtinë, 9 tetor - Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj, i shoqëruar nga Drejtori i Ekipit Këshillues të NATO-s zotin Kevin Linç si dhe zyrtarët e MFSK-së Sinan Geci dhe Florin Hoxha priti sot në një takim pune, Mats Nystrom zëvendësdrejtor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë përgjegjës për Kosovën.
Ai shoqërohej edhe nga i ngarkuari me punë i ambasadës së Suedisë në Kosovë zoti Henrik Nilson si dhe Kurt Gjakobson oficer ndërlidhës në ambasadën suedeze.
Me këtë rast sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, z. Sylaj e falënderoi zëvendësdrejtorin Nystrom për ndihmën që po jep Suedia për FSK-në si dhe e njoftoi me të arriturat e përgjithshme të FSK-së.
Gjatë takimit theks i veçantë u vu në thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët e që dalin edhe nga Marrëveshja e Bashkëpunimit e nënshkruar mes dy ministrive përkatëse; Ministrisë së Mbrojtjes të Suedisë dhe MFSK-së.
Si vazhdimi i bashkëpunimit dhe përkrahjes së MFSK së edhe më tutje me këshilltar në kuadër të Ekipeve Këshilluese të NATO-s.
Përkrahja në ngritjen dhe zhvillimin e Njësisë së Kërkim Shpëtimit duke kontribuar edhe në ngritjen e Qendrës së Trajnimit për këtë njësi.
Përkrahja në fushën deminimit të hapësirave të minuara, në veçanti në objektet e rrënuara, ku FSK-ja ka nevojë për teknikë dhe pajisje të veçanta për deminim. Në këtë drejtim u vlerësua lartë bashkëpunimi në deminimin e objekteve të bombarduara në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.
Njoftimi me konkluzionet e veçanta të dala nga Rishikimi i Sektorit Strategjik të Sigurisë së Kosovës e me theks të posaçëm për FSK-në, përgaditjet për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe krijimit të Forcave të Armatosura.
Delegacioni nga Suedia edhe njëherë rikonfirmoi përkrahjen edhe në të ardhmen për Ministrinë e FSK-së dhe për FSK-në.