Suspendohet kryetar i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj
Prishtinë, 27 korrik - Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nën kryesinë e kryesuesit Enver Peci.
Komisioni Disiplinor pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës bazuar në rekomandimet e Zyrës së Prokurorit Disiplinor në seancën e mbajtur sot, mori vendim që Salih Mekaj, gjyqtar kryetar i Gjykatës së Apelit në Prishtinë të suspendohet përkohësisht nga funksioni i gjyqtarit dhe kryetarit deri në përfundim të procedurës penale ndaj tij.
Gjithashtu, Komisioni Disiplinor për anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në seancën disiplinore të mbajtur po të njëjtën ditë ka marrë vendim që Salih Mekaj si anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës të pezullohet nga kjo pozitë deri në përfundim të procedurës penale ndaj tij.
Këshilli, mori vendim që ushtrues detyre e kryetarit të Gjykatës së Apelit të jetë nënkryetarja e kësaj gjykate, gjyqtarja znj. Tonka Berishaj.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës shqyrtoi edhe disa çështje të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet.