Suspendohen policë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Prishtinë, 23 nëntor - Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar sot një informatë nga qytetarët përmes linjës së kaltër lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga dy zyrtarë policorë të stacionit policor të Parteshit - Drejtoria Rajonale e Gjilanit.
Me autorizim të prokurorit, hetuesit e IPK-së kanë trajtuar këtë informacion duke ndërmarrë edhe disa veprime hetimore.
Pas veprimeve hetimore dhe konsultimit me prokurorin kompetent, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e zyrtarëve policorë.
Inspektorati Policor i Kosovës falënderon të gjithë qytetarët e vendit për bashkëpunim dhe kontributin e tyre drejt fuqizimit të integritetit policor.