Sulmohet zyra e PDK-së në Lagjen e Boshnjakëve
Persona të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës.
Shefi rajonal i operativës së Policisë së Kosovës, Zhelko Bojiq, ka thënë për mediat serbe se incidenti ka ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit dhe ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Bojiq ka thënë se Policia e Kosovës ka nisur tashmë hetimet për këtë sulm.
Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë mori vendimin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit për tri qendrat e votimit në komunën e Mitrovicës veriore, për shkak të dëmtimit të kutive të votimit.
Sipas rekomandimeve të KQZ-së, ky vendim u mor me qëllim të këqyrjes së materialeve të cilat gjenden në këto kuti, për katër komuna: Mitrovicë e veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.
Për këtë ranë dakord në Bruksel edhe kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, siç konfirmoi ndërmjetësuesja e BE-së, Catherine Ashton, në përfundim të raundit të radhës të dialogut të Brukselit.