Sulmohet zyra e partisë së Nikolliqit në veri
Mitrovicë, 8 prill - Persona të panjohur kanë sulmuar mbrëmë vonë zyrën e Partisë Përparimtare Serbe në veri të Mitrovicës.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti.
Zyra e Partisë Përparimtare Serbe, e cila nodhet në rrugën e Kolashinit, është sulmuar me gurë. Sulmi ka rezultuar vetëm me xhama të thyer të saj, ka bërë të ditur Hoti.
Partia Përparimtare Serbe është partia e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq.
Sulmi pason një të ngjashëm në veri kundër zyrës së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i cili ka ndodhur javën e kaluar.
Ai po ashtu ndodh pak orë para se Serbia të bëjë publik vendimin nëse pranon ose jo propozimin e Brukselit për marrëveshje me Kosovën.
/rel/