Sulmohet me armë kapiteni i policisë në Zubin Potok
Zubin Potok, 19 korrik - Sulm me armë automatike dhe një shpërthim janë regjistruar të kenë zënë vend në mes të orës 01:40 dhe 02:20 min, të natës së mbrëmshme, në tri objekte të ndryshme në Zubin Potok, njofton policia.
Sipas policisë, në bazë të raporteve të para policore mësohet se sulmet e armatosura dhe të koordinuara kishin ndodhur në objektin e KEP bankës, në objektin e një radiostacioni lokal Radio Kolashin dhe në shtëpinë private të një eprori të policisë së Kosovës, në Zubin Potok. Nuk është raportuar për persona të lënduar.
Policia ka identifikuar lokacionet dhe objektet të cilat ishin cak i sulmeve të armatosura ndërsa ekzaminimet e vendeve të ngjarjes janë proceduar nga njësitë përkatëse hetimore të drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, EULEX-it dhe ekspertëve të KFOR-it për identifikim të mjeteve eksploduese.
Janë regjistruar dëme materiale në objektin e KEP bankës, dhe të radio stacionit lokal Kolashin, objekte këto në afërsi me njëra tjetrën ndërsa janë regjistruar si të identifikuara mbi pesëdhjetë (50) gëzhoja të armës automatike të cilat besohet se janë përdorur nga kryesit e aktit kriminal.
Ndërsa më shtëpinë private të eprorit policor të Kosovës, janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale nga të shtënat me armë zjarri dhe nga shpërthimi i mjetit eksplodues që besohet të jetë një granatë dore.
Në momentin e sulmit të armatosur, në shtëpi gjendeshin eprori i policisë së Kosovës së bashku me familjen e tij.
Veç dëmeve në shtëpinë e eprorit policor, nga të shtënat është dëmtuar edhe vetura e tij private, tip Renault. Së paku njëzet (20) gëzhoja janë gjetur dhe marrë si pjesë e provave materiale.
Këqyrja e vendit të ngjarjes dhe zhvillimi i hetimeve fillestare me autorizim të prokurorit publik, janë në procedim, thuhet në njoftim.