Sulmohet komuna ilegale në veri të Kosovës
Mitrovicë, 21 janar - Persona të panjohur kanë sulmuar mbrëmë me koktej molotovi objektin e komunës ilegale në veri të Mitrovicës.
Sipas burimeve nga veriu sulmi ka ndodhur rreth orës 20:40. Sulmuesit në fakt nuk ia arritën qëllimit, pasi masa shpërthyese nuk u ndez.
Kryetari ilegal në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantic, ka hedhur akuza në adresë të ushtarëve të KFOR-it, për të cilët siç tha ai, përkundër faktit se kanë qenë të pranishëm pak metra larg nga objekti, pas incidentit ata janë tërhequr menjëherë nga lokacioni i tyre.
Ky është edhe një fakt se KFOR-i dhe Bashkësia Ndërkombëtare nuk janë të interesuar të pengojnë sulmet ndaj serbëve dhe të mbrojnë pasurinë dhe pronat e tyre,- ka thënë Pantic.
Sipas tij, që nga dita e sotme, e ashtuquajtura Mbrojtja territoriale në veri do të marrë përgjegjësinë për sigurimin e qytetarëve serbë në veri, pastaj pasurinë e tyre personale, si dhe për ndërtesën e komunës.