Sulmohet Azem Syla në Skënderaj
Skenderaj, 28 tetor - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 13:20 në Sheshin Adem Jashari në Skenderaj ka filluar të mbahet tubimi përmbyllës i fushatës parazgjedhore i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili tubim ka përfunduar rreth orës 13:45, pa asnjë incident.
Ndërsa rreth orës 13:55, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në rrugën Ahmet Delija të Skenderajt, ka ndodhur një rrahje në progres ku sipas informacioneve të para dyshohet se është sulmuar fizikisht deputeti i PDK-se z.Azem Syla dhe Adnan Koci truproje i Deputetit Gani Koci.
Nga informacionet e deritanishme dyshohet se personat e dyshuar janë Gani Geci me disa anëtarë të familjes së tij, ku njëri prej tyre dyshohet se ka mbajtur armë në dorë.
Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se në vend ngjarje ka ndodhur një e shtënë në ajër me armë zjarri, por mbetet të hetohen të gjitha rrethanat e mundshme të këtij rasti.
Sipas informacioneve te deritanishme nga tereni nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar apo të plagosur.
Njësitet relevante policore kanë reaguar me urgjencë në vendngjarje dhe kanë arritur ta vejnë situatën nen kontroll, ku gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit.
Për të gjitha veprimet policore është informuar prokurori përkatës dhe për informacione të mëtutjeshme do të ju mbajmë të informuar.