Sulmi me bombe ndaj shtëpisë së Mehes, nxitje e dhunës politike
Prishtinë, 9 gusht - AVONET ka theksuar se me shqetësim po përcjell debatin e ditëve të fundit lidhur me demarkacionin me Malin e Zi.
\"Fatkeqësisht jemi dëshmitarë që ky debat ka devijuar në dhunë dhe sulme ndaj institucioneve legjitime, siç ishte rasti me sulmin e para pak ditësh ndaj ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.\"
\"Edhe ky sulm i sotëm me bombë në shtëpinë e z. Murat Meha -kreut i Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit me Malin e Zi shpërfaq frustrimin e grupeve të caktuara kriminale të lidhura me politikën për të provokuar tension social dhe konflikt civil\", thekon AVONET.
Po kështu edhe ndërprerja e mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme duke përdorur gazin lotsjellës manifeston nxitjen e dhunës politike dhe cenimin e funksionimit të organeve legjitime shtetërore përgjegjësit e së cilës duhet të marrin ndëshkimin e merituar.
AVONET konsideron se veprimet e tilla thellësisht kriminale dhe kundërshtetërore janë garancë për etiketimin e vendit tonë si njolla e zezë e Ballkanit. Poashtu,kjo dëmton rëndë edhe agjendën tonë integruese.
\"Ne, si përfaqësues të shoqërisë civile kërkojmë ndërhyrjen urgjente të institucioneve të sigurisë siç janë Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës të hetojnë, zbulojnë dhe ti hedhin para organeve të drejtësisë përgjegjësit e akteve të tilla kriminale.\"
\"Veprimet e tilla me gjuhë të urrejtjes dhe vepra penale nxisin destabilizimin e vendit dhe provokojnë dhunë civile. Vendi ynë dhe shoqëria nuk duhet të lejoj futjen në spiralen e dhunës e manifestuar si terrorizëm politik\", ka deklaruar në fund AVONET.