Suedia do të vazhdoj të mbështes edhe në të ardhmen FSK-në
Prishtinë, 18 shtator - Sot, ministri i FSK-së, Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, pritën në takime të veçanta shefin e Shtabit të Ushtrisë së Suedisë, gjeneralmajor Anders Brannstron, i cili shoqërohej nga kolonel Mikael Christoffersson, nënkolonel Curt-Ove Jakobsson dhe major Mikael Wendt.
Me këtë rast, ministri Çeku dhe komandanti Kastrati, e kanë njoftuar, Shefin e Shtabit të Ushtrisë së Suedisë, gjeneralmajorin Brannstron, për të arriturat e FSK-së, për plotësimin e kapaciteteve të plota operacionale, për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, për trajnimet dhe profesionalizimin e FSK-së, si dhe për procesin e Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë në Kosovë.
Në këtë takim ishin të pranishëm; gjeneralbrigade Imri Iljazi Shef i departamentit të Operatives dhe Trajnimeve, Haxhi Shala, drejtor i Drejtorisë për Politika dhe Plane dhe nënkolonel Hasan Hoxha nga Departamenti për Siguri dhe Bashkëpunim.
Qëllimi i kësaj vizite është vazhdimi i bashkëpunimit në fushat, që janë me interes të përbashkëta, në mes të dy ministrive; Ministrisë së Mbrojtjes së Suedisë dhe të Ministrisë së FSK-së dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Komandanti i FSK-ës gjenerallejtënant Kadri Kastrati ka vlerësuar lartë nivelin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe ka theksuar nevojën për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, duke theksuar se pret edhe në të ardhmen ndihmën e gjithanshme të Suedisë për Kosovën dhe FSK-në.
Me këtë rast ai përmendi bashkëpunimin e mirë në fushën e deminimit në mes të ushtrisë së Suedisë dhe FSK-së në parkun e Gërmisë, ku ushtria suedeze ka ndihmuar me makineri të rëndë në eliminimin e rrënojave të mbetura.
Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Ushtrisë së Suedisë, gjeneralmajor Anders Brannstron falënderoi ministrin e FSK-së, Agim Çekun dhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastratin, për pritjen dhe për bashkëpunimin e dyanshëm.
Ai po ashtu ritheksoi se Suedia dhe Ushtria e saj, do të vazhdojnë të mbështesin edhe në të ardhmen Kosovën dhe FSK-në.