Strukturat paralele serbe largojnë dy barrikada
Prishtinë, 4 janar - Strukturat paralele serbe së bashku me grupet kriminale që veprojnë në veri të Kosovës, të mërkurën rreth mesditës kanë filluar të largojnë dy barrikadat nga dy rrugët që çojnë për në fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit.
Njoftohet se grupet kriminale serbe kanë marrë urdhër nga strukturat politike e paralele të Serbisë që të heqin dy barrikadat nga rruga që të shpie për në fshatin Bistricë si dhe nga ajo për në fshatin Cerajë.
E tërë kjo, ka ndodhur pas një marrëveshje që kanë arritur KFOR-i me autoritetet lokale të Leposaviqit, raporton Koha.
Në anën tjetër, Behxhet Hetemi, banor i fshatit Bistricë, ka thënë përmes telefonit se ne, banorët e tri fshatrave të komunës së Leposaviqit nuk jemi në dijeni për largim të barrikadave që janë vendosur në hyrje të rrugëve tona tash e 4 muaj. Nga fshatrat tona, për shkak të largësisë mbi 7 kilometra nuk shihen barrikadat, ndërsa për momentin nuk kemi informacion se çka po ndodhë atje poshtë.
Banorët e tri fshatrave të Komunës së Leposaviqit - Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë e Vllahisë që nga 25 korriku i vitit të shkuar kanë qenë të bllokuar nga këto dy barrikada. Këta ë për të shkuar në Mitrovicë dhe për të bërë furnizime me gjëra ushqimore kanë qenë të kushtëzuar që të ndjekin një rrugë të vjetër dhe shumë të vështirë, që këto fshatra i lidhë me Mitrovicën nëpërmes rajonit të Shalës së Bajgorës.