27 Dhjetor 2024

Stoltenberg: FSK-së i duhet leje nga NATO-ja që të shkojë në veriun e Kosovës

Prishtinë, 2 korrik - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjtën se forcat paqeruajtëse të KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë për të siguruar paqen ndërsa bëri thirrje për një zgjidhje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë pas qëndrimit të tij në Prishtinë, ku zhvilloi takime me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe trupat paqeruajtëse.

“Mesazhi im ishte se NATO është këtu për të qëndruar. Misioni ynë i KFOR-it është në Kosovë për të ndihmuar për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe të qetë për të gjitha komunitetet dhe ne gjithashtu mbështesim fuqishëm përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike. Ne kemi qenë këtu për shumë vite dhe ndjejmë përgjegjësi për të kontribuar për paqen dhe dhe qëndrueshmërinë në Kosovë që është e rëndësishme për gjithë rajonin”, tha zoti Stoltenberg.

Ai u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të vazdojnë të zbatojnë marrëveshjen e arritur në prill të vitit 2013 ndërmjet ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe ish kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Po ashtu, sipas një letërkëmbimi, për të siguruar pajtimin, forcat paqeruajtëse mund të këshillohen me komunitetin në veri.

Stoltenberg tha se për këtë çështje ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka quajtur marrëveshjen të dëmshme dhe ka paralajmëruar ndryshimin e saj.

“Unë e mirëpres që autoritetet e Kosovës t’i përmbahen marrëveshjes së vitit 2013 që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos vendosen në veri pa pajtim paraprak me KFOR-in dhe komandën e NATO-s dhe kjo pasqyron gjithashtu ndjeshmërinë dhe sfidat dhe mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të vazhduar për të gjetur balancin e duhur dhe për të shmangur ndonjë situatë që mund të dëmtojë dhe dobësojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të shmangur gjithçka që mund të dëmtojë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha zoti Stoltenberg.

Kryeministrin Kurti në mandatin e parë si kryeministër në muajin mars të vitit të kaluar shpalosi letërkëmbimin dhe pohoi të ketë dërguar çështjen në prokurori për trajtim.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, sekretari Stoltenberg zhvilloi takime me pjesëtarët forcave të KFOR-t në Kosovë, me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin për komunitete dhe kthim Goran Rakiç që është njëherësh edhe kryetar i Listës Serbe, subjektit kryesor serb në Kosovë.

Takimet në Prishtinë u mbajtën pa praninë e gazetarëve, ndërsa në një njoftim të zyrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani thuhet se në takim me “sekretarin Stoltenberg është diskutuar për rolin e trupave të NATO-s në Kosovë për ruajtjen e sigurisë dhe në trajnimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)